Ditët e fundit janë bërë virale video tronditëse të policëve kinezë që mbyllin personat e dyshuar si mbartës së koronavirusit, brenda shtëpisë së tyre. Oficerët e policisë shikohen duke mbyllur dyert me zinxhirë dhe dry.
Numri zyrtar i vdekjeve vazhdon të jetë në rritje, ndërsa Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës, raportoi 73 vdekje brenda një nate- një rekord i ri ditor i regjistruar në vend. Kujtojmë që si pasojë e koronavirusit deri më tani kanë humbur jetën të paktën 565 persona dhe janë diagnostikuar si të infektuar më shumë se 28.300 mijë persona në të gjithë botën.
Përhapja e virusit të ri në Kinë është një sfidë e madhe jo vetëm për punonjësit mjekësorë të vendit, por edhe për oficerët e saj të policisë si dhe drejtuesit e komunitetit. Shumë persona të diagnostikuar me kronavirus janë të gatshëm të mbyllen në shtëpitë e tyre për një periudhë kohore deri në dy javë, duke bërë të mundur në këtë mënyrë zvogëlimin e përhapjes së “epidemisë vrastare”.
Një video e filmuar në qytetin Xinyang të rajonit Henan, tregon dy oficerë policie duke izoluar një familje që dyshohet të jetë mbartëse e sëmundjes ngjitëse. Por përpara se të përdornin masën ekstreme, oficerët u kujdesën që njerëzit që do të mbylleshin brenda do të kishin sasi të mjaftueshme orizi dhe perimesh.