image Policia jep detaje nga operacioni në Prizren ku u arrestuan pesë persona, sekuestrohen dhjetëra qese me drogë

Siguri

Policia jep detaje nga operacioni në Prizren ku u arrestuan pesë persona, sekuestrohen dhjetëra qese me drogë

news image

Njësia Kundër Trafikimit me Narkotikë në Policinë Rajonale në Prizren, ka zhvilluar sonte një aksion në rrugën “Ali Ibra” në Prizren, që rezultoi me arrestimin e disa personave dhe sekuestrimin e një sasie të narkotikëve. Operacioni i bastisjes u zhvillua te shtëpia e familjes Limani, ku u kap drogë e llojeve kokainë dhe marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.

Siç raportoi sonte Sinjali ekskluzivisht, dy prej të arrestuarve janë vëllezërit Shaban dhe Dardan Limani, ndërsa bashkë me ta në pranga përfunduan edhe katër persona të tjerë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pesë prej tyre janë shoqëruar lidhur me rastin e drogës, ndërkaq një tjetër për pengim të zyrtarëve policorë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku përmes një njoftimi thanë se gjatë kontrollimit janë gjetur e sekuestruar dëshmitë/provat materiale si në vijim:

-14 qese substancë narkotike e dyshuar si kokainë me peshë prej 4.39 gramë
-67 qese substancë narkotike e dyshuar si marihuanë me peshë prej 1.103.84
-5 telefona
-1 automjet

Të dyshuarit që u prangosën për drogë janë kapur në flagrancë duke paketuar drogën që dyshohej se po përgatitej për shitje e shpërndarje.  

Sasia e kokainës dhe marihuanës që u gjet është sekuestruar bashkë me dëshmi të tjera, si pajisje që shërbejnë për narkotikë, si dhe para të gatshme.

Ndaj të dyshuarve, Prokurori i Shtetit pritët të lëshojë urdhrin për masën e ndalimit policor dhe të iniciohet hetimi.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/