image Policia jep detaje për të shtënat në Podujevë: Tre të plagosurit kanë lidhje familjare, motivi ende i paqartë

Siguri

Policia jep detaje për të shtënat në Podujevë: Tre të plagosurit kanë lidhje familjare, motivi ende i paqartë

news image

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Basri Shabani, ka dhënë detaje të reja lidhur me incidentin me armë zjarri që ndodhi të enjten në qendër të Podujevës, ku mbetën të plagosur katër persona.

Sipas Shabanit, tre nga të plagosurit kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit, i cili ka pësuar lëndime të lehta.

Ai bëri të ditur se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe motivi i ngjarjes nuk është konfirmuar.

“Personat e përfshirë kanë lidhje familjare mes vete. Kjo mund të ketë ndërlidhje me motivin, por në këtë fazë nuk mund të themi asgjë me siguri”, deklaroi Shabani.

Sipas tij, nga pamjet e siguruara deri më tani rezulton se tre persona janë plagosur me armë zjarri dhe po marrin trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shabani vlerësoi edhe reagimin e një zyrtari policor, i cili ndodhej jashtë detyrës dhe me rroba civile në momentin e incidentit. Ai tha se ndërhyrja e tij e shpejtë ka ndihmuar në parandalimin e pasojave edhe më të rënda.

Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e incidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/