Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Subjekt hetimi për armë ilegale ishte edhe një i ri në fshatin Randobravë të Prizrenit, në shtëpinë e të cilit, Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje mbrëmë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, karikatorë dhe fishekë.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndërkohë, Policia ka bërë publike edhe fotografinë ku shihet arma dhe karikatorët e fishekët të sekuestruar.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“