Mbrëmë pas mesnate në fshatin Vërmicë të komunës së Prizrenit, një shtetas i Sirisë është gjetur i lënduar keq, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se 16-vjeçari ka deklaruar se është sulmuar nga 4-5 persona dhe i njëjti është plagosur në këmbë më armë zjarri, teksa ka bërë të ditur se bashkë me të ishte edhe një tjetër person i cili ka mbetur i plagosur në gjoks.
Sipas tij, ashtu i plagosur ka ecur rreth tri orë nga vendi se ku ka ndodhur e gjithë ngjarja dhe si pasojë e kësaj nuk dihet saktë se ku ka ndodhur rasti, e po ashtu ende nuk janë identifikuar personat e dyshuar.
Si pasojë e lëndimeve të marra ai është dërguar në repartin e Ortopedisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë Policia ka kontrolluar zonën, por nuk kanë gjetur asnjë shenjë apo personin tjetër, për të cilin 16-vjeçari pretendon se ka mbetur i plagosur.
Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar si ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohen personat e dyshuar.