Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje sot në shtëpinë e një personi në Mitrovice, i cili dyshohet se ishte përfshirë në një rast të grabitjes.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe një peshore për matjen e narkotikëve.
22-vjeçari është intervistuar në stacion policor dhe me urdhër të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
I njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shitja dhe shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.