image Policia e konfirmon raportimin e Sinjalit: Një person u arratis nga stacioni në Gjakovë, u arrestua më pas

Siguri

Policia e konfirmon raportimin e Sinjalit: Një person u arratis nga stacioni në Gjakovë, u arrestua më pas

news image

Një incident i rëndë dhe i pazakontë ka ndodhur në Gjakovë, ku një person i ndaluar ka arritur të ikë nga ambientet e Stacionit Policor, duke vënë në alarm të plotë zyrtarët e rendit.

Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari, i cili ishte në shoqëruar në polici për një rast penal, ka shfrytëzuar një moment pakujdesie apo neglizhence nga ana e zyrtarëve policorë dhe ka arritur të dalë nga objekti i stacionit pa u vërejtur në kohë reale.

Informatat që disponon Sinjali janë se, pas arratisjes, Policia ka ndërmarrë një operacion të menjëhershëm kërkimi dhe ndjekje intensive, i cili ka rezultuar që i arratisuri është riarrestuar dhe kthyer në mbajtje.

Rastin e ka konfirmuar për gazetën Sinjali edhe Policia e Gjakovës, e cila ka njoftuar se rasti ka ndodh sot rreth orës 06:00.

“Rreth orës 06:00 është arrestuar një person i kërkuar me urdhërarrest. Gjatë kohës që ishte nën mbikëqyrjen e policisë, ai ka arritur të arratiset”.

“I njëjti është arrestuar sërish pas një kohe dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje”, tha Sheremet Elezaj, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të brendshme në zinxhirin komandues në Gjakovë dhe, sipas burimeve të Sinjalit, pritet të pasohen me hetim të brendshëm për të konstatuar përgjegjësinë konkrete të zyrtarëve që ishin në detyrë në momentin e incidentit.

Ky rast vë në pah edhe një herë dështimet në menaxhimin e sigurisë brenda vetë strukturave të policisë dhe hap nevojën urgjente për forcimin e masave dhe kontrollit në ambientet e tilla.

Lexo edhe:

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/