Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në diskon “13 Rooftop” te Hotel Grandi në Prishtinë, ku një 30-vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta. I riu u gjet pa shenja jete dhe akoma nuk dihet shkaktari i vdekjes së tij, raporton Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 06:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në hollin e një Hoteli në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Policia dhe ekipi mjekësor menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e personit mashkull 30 vjeç. Aktualisht policia ka nisur hetimin e rastit si vdekje e dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se posa është kërkuar ndihmë, njësitet policore bashkë me ekipin mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimeve për shenjat vitale në trupin e viktimës, mjeku ka konstatuar se ai ka ndërruar jetë dhe më pas trupi është tërhequr nga vendi i ngjarjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’.
Lidhur me rastin, Sinjali mëson se janë marrë deklaratat edhe të disa dëshmitarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur rasti.