Policia e Kosovës ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës është organi i vetëm kompetent brenda Policisë së Kosovës për pranimin, verifikimin, hetimin dhe procedimin e rasteve që lidhen me krimet e luftës të kryera gjatë luftës në Kosovë (1998-1999).
Në njoftim thuhet se kjo drejtori i trajton të gjitha informacionet relevante, pavarësisht burimit të tyre, përfshirë të dhënat e ofruara nga qytetarët, institucionet, organizatat, partnerët vendorë e ndërkombëtarë, si dhe informacionet nga burime publike.
Policia ka theksuar se trajtimi i këtyre rasteve bëhet në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës – Departamentin për Krime të Luftës, duke respektuar legjislacionin në fuqi.
Ky reagim vjen pas publikimeve në media për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, ndërsa Policia ka bërë të ditur se çdo informacion, provë apo e dhënë që lidhet me këto raste duhet të dërgohet te institucionet kompetente.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë ftuar qytetarët, dëshmitarët, viktimat, familjarët e tyre dhe çdo person që posedon informacione të rëndësishme, që t’i paraqesin ato në institucionet përkatëse.
Sipas njoftimit, këto institucione garantojnë trajtim profesional, konfidencialitet dhe zhvillim të hetimeve në përputhje me standardet ligjore, me qëllim zbardhjen e krimeve të luftës dhe vendosjen e drejtësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!