Policia e Kosovës, përmes një njoftimi të ri ka njoftuar se një person ka vdekur pas të shtënave me armë zjarri në Prishtinë. Një deklarim ndryshe e kishte dhënë minuta më parë mjeku kujdestar nga QKUK-ja.
Agron Çitaku nga QKUK kishte thënë se katër persona janë të lënduar rëndë dhe asnjë person nuk ishte vdekur.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi të ri ka thënë se një person ka ndërruar jetë nga plagët e marra dhe tre të tjera kanë mbetur të lënduar.
“Sot rreth orës 16:00, policia ka marrë informacionin për gjuajtje me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore”.
“Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë plagosur katër persona të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, nga ku jemi njoftuar se njëri prej personave të plagosur nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më pas edhe mjeku kujdestar për mediat ka konfirmuar se një person ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se i vrari është Bashkim Mehmeti, ndërkaq i plagosuri në gjendje më të rëndë ka mbetur Fadil Rafuna./Sinjali/