image Policia deklarohet për vdekjen e policit në poligonin e qitjes

Siguri

Policia deklarohet për vdekjen e policit në poligonin e qitjes

news image

Një rast tragjik ka ndodhur sot në poligonin e qitjes së Policisë në fshatin Cerrnushë të Mitrovicës, ku një polic ka humbur jetën pasi u vetëplagos me armë zjarri.

Policia përmes një komunikate për medie ka bërë të ditu se polici 44-vjeçar është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, por nuk ka arritur të mbijetojë, raporton Gazeta Sinjali.

“Sot rreth orës 10:28, është raportuar se në poligonin e gjuajtës së Policisë në fshatin Cerrnushë të Mitrovicës, një polic është plagosur me armë derisa ai kishte qenë në gjuajtje me armë zjarri në kuadër të trajnimit të rregullt periodik (ri-certifikimi). Polici i plagosur është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, mirëpo nga ana e personelit mjekësor është konstatuar vdekja e policit B.T.,44 vjeçar, punonjës në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri”, thuhet në komunikatë.

Policia bën të njofton se sipas informatave të para, rasti ka ndodhur aksidentalisht.

Ndryshe, burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se zyrtari policor që u vetëplagos aksidentalisht është Burim Tahiri.

Të njëjtat burime bënë të ditur se zyrtarit policor i shkrepi arma duke hyrë në veturë, pasi doli nga poligoni i qitjes.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Po, e konfirmojmë që ka ndodhë në poligonin e qitjes. Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes. Trupi është dërguar për obduksion”, tha Preteni për Sinjalin.

/GazetaSinjali/