Policia e Kosovës ka kryer mbrëmë (30 maj) një aksion në katër lokale të natës në Mitrovicë, si pjesë e një plani operativ të iniciuar nga Stacioni Policor Mitrovicë Jugu, me fokus në parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të policisë, kontrollet nisën nga ora 22:00 dhe përfshinë lokacione të ndryshme, ku në njërin prej tyre u arrestua një person te i cili u gjet një armë zjarri.
I dyshuari, D.K., 62-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës, u ndalua nga policia dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa arma është konfiskuar si provë materiale.
Në këtë aksion morën pjesë edhe inspektorët komunalë si dhe njësitë e specializuara për hetimin e trafikimit të narkotikëve dhe trafikimit me qenie njerëzore.
Përveç arrestimit, gjatë kontrolleve janë shqiptuar gjoba ndaj dy lokaleve të natës, ndërsa një lokal është mbyllur nga inspektorët komunalë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!