image Polici që vret e kolegët që torturojnë – luftë me armë në mes të ditës në Prishtinë dhe grushte mes politikanëve

Kosovë

Siguri/ Polici që vret e kolegët që torturojnë – luftë me armë në mes të ditës në Prishtinë dhe grushte mes politikanëve

news image

Siguria në vendin tonë gjatë vitit që sapo lam pas ka esklauar në disa raste me protagonistë kryesorë, policët e Kosovës e në disa raste të tjerë me qytetarë të rëndomtë. Në një rast, një polic ka vrarë një qytetar, ndërsa vetëm disa muaj më parë një komandat i një stacioni dhe pesë vartës të tij, kishin torturuar një qytetar të prangosur, i cili nuk paraqiste aspak rrezik për askënd, raporton Gazeta Sinjali.

Vetëm tri ditë para ndërrimit të motmoteve, polici i Kosovës Vllaznim Hamdiu, dyshohet se ka qëlluar për vdekje qytetarin Lulzim Spahiu në Gjilan.  Madje vrasja kishte ndodhur para syve të djalit të personit që u vra.

Kishin qenë orët e para të mëngjesit, kur dyshohet se kishte ndodhur një aksident. Dyshimet e para janë se Lulzim Spahiu, kishte aksidentuar me makinë policin Vllaznim Hadiun, i cili më pas kishte vrarë qytetarin në prezencë të djalit të tij.

Në fakt raportimet kanë treguar se polici kishte qenë nën shoqëri të mirë gjatë gjithë mbrëmjes. Sipas raportimeve ai kishte shtënë me armë zjarri edhe në një lokal ku kishte qenë duke konsumuar alkool.

Por përderisa familjarët e Lulzim Spahiut, po mbajnë ende zi për vrasjen e më të dashurit të tyre, Muhamer Raifi ka ende kujtimet freskëta sesi u torturua nga policët e Kosovës në stacionin policor të Gjakovës, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht video incizimet sesi një qytetar i prangosur ishte torturuar e rrahur fizikisht nga policë me grada të larta. Njëri prej tyre madje kishte qenë Komandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj.

Ironia e gjithë këtij rasti është se të gjithë zyrtarët policorë vazhdojnë të punojnë ende aty, ndërsa në kohën kur ishin suspenduar kishte pasur protesta në mbështetje të tyre.

Ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 14 nëntorit të vitit 2018, kur qytetari Muhamer Raifi nga Prishtina, sipas pohimeve të tij, teksa po priste një shoqe në parkun e qytetit të Gjakovës, ishte arrestuar dhe prangosur nga katër policë të cilët, siç theksonte ai, kishin filluar ta godisnin në pjesë të trupit pa ndonjë shkas.

Në videon e publikuar shihej sesi Raifi goditej me shqelma e grushte nga zyrtarët policorë për orë të tëra.

Një problem pronësor në lagjen e Spitalit në Prishtinë u kthye në masakër në mes të ditës. Tre persona kishin mbetur të vrarë pas konfliktit të dy familjeve Mehmeti e Rafuna në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

I gjithë konflikti kishte nisur për disa pllaka, por që më pas ishte kthyer në një sërë të shtënash me armë zjarri. I vrarë kishte mbetur edhe një i moshuar që nuk kishte të bëjë asgjë me rastin. Ai kishte qenë vetëm kalimtar i rastit së bashku me mbesën e tij.

E dy muaj më parë një tjetër ‘betejë’ u zhvillua në qendër të Prishtinës. Kësaj radhe kishte qenë Astrit Mehmeti i njohur me emrin “Llepota” dhe shokë të tij të përfshirë në këtë rasti. Ai dyshohet se së bashku me persona të tjerë ishin përleshur me sigurimin e lokalit të natës “Duplex”.

Katër persona kishin mbetur të plagosur nga armët e zjarrit, ndërsa Llepota vazhdon të mbetet i lirë, por në kërkim Policisë së Kosovës.

Një rast tjetër që kishte tronditur publikun kosovar kishte qenë rrahja pas një debati mes atëherë deputetit të Kuvendit të Kosovës, Dardan Molliqajt dhe deputetit të tanishëm, Haki Abazi.

Përderisa kishin qenë në një studio televizive, akuza të rënda kishte pas mes njëri-tjetrit, ku pas debatit kishte shpërthyer në rrahje.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për videon ku Molliqaj e Abazi ishin përleshur me njëri tjetrin.

Një tjetër politikan ishte përfshirë në dhunë fizike. Kësaj radhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kishte rrahur një gazetar.

Ai kishte mohuar të ketë goditur gazetarin që po filmonte anëtarin tjetër të Nismës që kishte mbetur i plagosur.

Por megjithatë pamjet e publikuara dëshmojnë pretendimet e gazetarit, i cili ishte goditur me shuplakë nga ministri.

Vrasje tjetër ende e mistershme kishte ndodhur në Ferizaj, dyshimet e para janë për shkak të një borxhi.

Shkodran Bytyqi kishte mbetur i vrarë e më pas edhe i ishte djegur trupi në Ferizaj. Për këtë rast po akuzohet Trimor Lalinovci dhe vëllai i tij. Bytyqi që ia kishte dhënë disa para borxh i kishte kërkuar Trimorit që t’ia kthente paratë, por në vend të parave ai ishte qëlluar me plumb, raporton Gazeta Sinjali.

Pas vrasjes dyshimet janë se Trimori së bashku me vëllain e tij e kishin dërguar në një vend tjetër dhe ia kishin djegur trupin.

Një tjetër vrasje misterioze kishte ndodhur në mbrëmjen e 20 dhjetorit. Nazmi Rrustemi, inspektor në Komunën e Prishtinës është gjetur pa shenja jete në afërsi të Liqenit të Badovcit, Prokuroria Themelore e Prishtinës, vdekjen e tij e ka cilësuar si ‘vrasje të rëndë’.

Dyshimet e para të Prokurorisë bëjnë me dije se Rrustemi u qëllua për vdekje nga arma e zjarrit. Për këtë vrasje deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.

Në ditët e fundit të këtij viti një tjetër vrasje kishte shokuar qytetarët kosovarë. Dy të rinj ishin përleshur për shkak të një problemi në komunikacion.

Sipas prokurorit të rastit, e gjitha kishte për shkak të shikimeve nga veturat. Dy grupe ishin përleshur ndërsa i vdekur kishte mbetur Ardit Shehu, 19-vjecar nga Dragobili i Malishevës./Gazeta Sinjali/

Të gjithë personat e lartpërmendur janë të pafajshëm derisa organet e drejtësisë kosovare e dëshmojnë me vendim të plotfuqishëm të kundërtën.