Një polic i ka shpëtuar jetën një punëtori në Suharekë i cili ishte goditur nga energjia elektrike derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit.
Përmes një komunikate, Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Xhavit Sylaj”, në Suharekë, ku patrulla policore ka vepruar menjëherë duke tërhequr poshtë punëtorin i cili ishte pa ndjenja.
“Me datën 9 shtator 2019 rreth orës 14:00, në rrugën “Xhavit Sylaj” në Suharekë, punëtori i një kompanie derisa po bënte instalimin dhe shtrirjen e kabllos së internetit, ishte duke punuar në një shtyllë ku kishte edhe rrjet elektrik. I njëjti ishte i lidhur me rripin e sigurisë, por për një moment dyshohet se është goditur nga rryma eklektrike ku është varur pa ndjenja në rripin e sigurisë. Dy punëtorët tjerë ndihmës kanë kërkuar ndihmën e Policisë, ku patrulla policore që ishte në afërsi ka vepruar menjëherë dhe njëri nga zyrtarët është ngjitur lart në shtyllë duke e tërhequr poshtë punëtorin i cili ishte pa ndjenja”, njofton Policia.
Tutje thuhet se viktima ka marrë tretman në spitalin rajonal të Prizrenit dhe më pas është liruar në shtëpi.
“Veprimet heroike dhe të menjëhershme të policit në Suharekë kanë bërë që punëtori të shpëtojë nga më e keqja apo nga vdekja dhe viktima pas tretmanit mjekësor në spitalin rajonal është liruar në shtëpi”, përfundon komunikata.