image Polici e qëllon për vdekje ish të dashurin e kushërirës

Rajon

Shqipëri/ Polici e qëllon për vdekje ish të dashurin e kushërirës

news image

Qyteti i Kavajës është tronditur mëngjesin e sotëm nga një ngjarje e rëndë. Pas një sherri, që dyshohet të ketë ndodhur për motive të dobëta, ka mbetur i vrarë një person dhe është plagosur një tjetër, ky i fundit efektiv i policisë së burgjeve. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.2 të qytetit.

Burime për Mapo bëjnë me dije se viktima Dritan Haxholli ka pasur lidhje me vajzën M.Q., por ishin ndarë. Ndërkohë, atë natë ata kishin shkëmbyer mesazhe të tensionuara me njëri-tjetrin dhe Haxholli e ka njoftuar vajzën që do të shkojë në banesën e saj për t’u “sqaruar”. Vajza duke e ditur tipin e tij, ka njoftuar “për ndihmë” katër persona të tjerë, miq të saj.

Dritan Haxholli shkoi në banesën e M.Q., i armatosur, pa e ditur se atje e prisnin katër të tjerë, mes tyre Bledar Toçi, polic burgjesh, i armatosur gjithashtu. Sapo Haxholli ka hyrë në shtëpinë e ish të dashurës, ka nisur menjëherë konflikti duke degjeneruar në shkëmbim zjarri. Bledar Toçi ka mbetur i plagosur pasi është prekur nga një plumb kallashnikovi, ndërsa Dritan Haxholli ka mbetur i vrarë, pasi u qëllua në qafë nga Toçi me armën e shërbimit tip pistoletë.

Pas ngjarjes së rëndë, polici i burgjeve Bledar Toçi është dërguar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.

Burime për mediat bëjnë me dije se gruaja M.Q., është e martuar dhe burri i saj ndodhet në Itali. Ndërkohë, policia ka bërë kontroll në banesën e efektivit Toçi dhe vëllait të tij dhe ka gjetur 8 doza hashash.