Një aksident tragjik ka ndodhur sot në poligonin e qitjes në Cërnushë të Mitrovicës, ku një zyrtar policor është vetëplagosur aksidentalisht. Polici Burim Tahiri ka humbur jetën në spital pasi u dërguar pas plagëve të marra.
Zyrtari policor Burim Tahiri ka humbur jetën sot pasi u vetëplagos aksidentalisht në poligonin e qitjes në Mitrovicë. Polici 44-vjeçar u dërgua në spital por nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve dhe vdiq. Vdekjen e tij për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelorë në Mitrovicë, teksa me një njoftim doli edhe Policia.
Gazeta Sinjali raportoi se zyrtarit policor i shkrepi arma duke hyrë në veturë, pasi doli nga poligoni i qitjes.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni e konfirmoi rastin për Sinjalin dhe tha se trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
“Po, e konfirmojmë që ka ndodhë në poligonin e qitjes. Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes. Trupi është dërguar për obduksion”, tha Preteni për Sinjalin.
Edhe nga Policia e Kosovës e konfirmuan se sipas informatave të para rasti ka ndodhur aksidentalisht.
“Sot rreth orës 10:28, është raportuar se në poligonin e gjuajtës së Policisë në fshatin Cerrnushë të Mitrovicës, një polic është plagosur me armë derisa ai kishte qenë në gjuajtje me armë zjarri në kuadër të trajnimit të rregullt periodik (ri-certifikimi). Polici i plagosur është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, mirëpo nga ana e personelit mjekësor është konstatuar vdekja e policit B.T.,44 vjeçar, punonjës në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri.
Sipas informatave të para, rasti ka ndodhur aksidentalisht. Njësitet kompetente të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës të cilët do të vazhdojnë hetimet në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin.”