image Policët e rrëmbyer vizitohen nga familjarët, i arrijnë barnat policit me probleme të frymëmarrjes

Politikë

Policët e rrëmbyer vizitohen nga familjarët, i arrijnë barnat policit me probleme të frymëmarrjes

news image

Ditën e 14-të të këtij muaji, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës u rrëmbyen nga forcat serbe teksa ishin duke ngrënë bukë gjatë orarit të punës në veri të vendit, ngjarje kjo e cila rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve, raporton Gazeta Sinjali.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla pak ditë më parë pas vizitës që i është bërë policëve në fjalë në qendrën e paraburgimit në Kralevë, dha disa detaje për gjendjen e tyre shëndetësor, e cila tha se polici Sheh Mustafa ka probleme shëndetësore me organet e frymëmarrjes, dhe të njëjtit i është dhënë vetëm një injeksion që nuk dihet me çfarë efekti, dhe një pompë për frymëmarrje.

Ministrja gjithashtu tregoi se Mustafës po i mungojnë medikamentet bazike të cilat i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore, gjë e cila po ia vështirëson qëndrimin në burg.

Ndërsa, sot në konferencë për media ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka konfirmuar se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi, janë vizituar dje nga familjarët e tyre, ku njoftoi se tashmë u kanë shkuar edhe barnat për të cilat kanë nevojë.

“Familjarët i kanë vizituar ata. Ne jemi në përkrahje të çfarëdo nevoje që këta policë kanë dhe patjetër edhe të familjeve të tyre. Barnat tashmë është raportuar se kanë shkuar dhe ne përveç se kërkojmë presim po ashtu që këta zyrtarë policor të lirohen sa më parë. Kidnapimi i tyre është edhe një dëshmi se Serbia nuk ka ndryshuar fare nga ajo e viteve të ’90 ku edhe i shkaktoi katër luftëra”, ka thënë Sveçla.

/GazetaSinjali/