Kreu i VV-së, Albin Kurti, pati një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me ndjekësit e tij në Facebook. Ndër temat për të cilat foli, ishte edhe çështja e taksës 100% për produktet serbe dhe boshnjake.
Kurti tha se taksa 100% nuk është politikë e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk ka qenë as politikë e AAK-së. Ai tha se janë më shumë për reciprocitet me Serbinë, por se ish-kryeministri Haradinaj e ka pasur mbështetjen e tyre në lidhje me taksën kur krerët e Serbisë kërkonin heqjen e saj.
“Lëvizja Vetëvendosje në politikën e saj e ka modelin më të avancuar se kaq. Sepse kur thua tarifa 100% kjo i bie që një mall nga Serbia në vend se të kushtojë 5 euro kushton 10 euro, seç po ia vë vetes një etiketë materiale megjithatë. Më mirë është parimi i reciprocitetit dhe në arenën ndërkombëtare ai është vështirë i kundërshtueshëm pastaj se parimi i reciprocitetit është kriter normal i raporteve bilaterale në botën zhvilluar demokratike perëndimore”, tha Kurti.
Ndërsa, nuk ka vonuar edhe një replikë në distancë e Daut Haradinajt, ish-deputetit të AAK-së, i cili gjendej në studion e emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Edhe pse e quajti mik të tij pa ia përmendur emrin, tha se “i njëjti njeri i cili ka rrëzuar kamionët me produktet serbë kërkon reciprocitet” duke shpjeguar më pas edhe se çfarë do të thotë kjo.
“Reciprocitet me Serbinë nënkupton ne i eksportojmë vetëm 28 milionë ndërsa Serbia i sjell rreth 500 milionë euro mallra në Kosovë. Çka i bjen kjo reciprocitet? D.m.th. na i kushtëzojmë këta 28 milionë me 500 milionë, kjo është reciprociteti. Në duhet të insistojmë, të jemi unik, që taksa të mos hiqet deri në njohjen e Kosovës”, tha Haradinaj.