Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së shtunës në Mitrovicë, ku një grua e moshuar ka mbetur me lëndime të rënda pasi u godit nga një automjet teksa po kalonte rrugën.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, në rrugën “Agim Ramadani”, në fshatin Katanë të Mitrovicës.
Sipas hetimeve fillestare, një automjet VW Kombi me targa vendore, që drejtohej nga Erduan Buqinca (60 vjeç), dyshohet se nga pakujdesia ka goditur me pjesën e përparme të veturës këmbësoren V. Rexhepi (73 vjeçe), e cila po kalonte rrugën nga ana e djathtë në të majtë, në drejtimin e lëvizjes së automjetit.
Si pasojë e goditjes, 73-vjeçarja ka pësuar lëndime të rënda trupore. Fillimisht ajo është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, por për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku po vazhdon trajtimin.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa Njësia Rajonale për Trafik Rrugor në Mitrovicë ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident të rëndë.
Një moment pakujdesie në trafik mjaftoi që një grua që po kalonte rrugën të përfundojë në luftë për jetën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!