Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka njoftuar se është kërcënuar me jetë në e-mailin e tij zyrtar.
Fetai ka thënë se emaili titullohet “Plumb në kokë për ty shipo fetai”, dhe se në email shkruan: “20 përqindëshi nuk do të ndryshohet, por gjithçka shiptare do t’ju vrasim me plumb në kokë. Të ngordhni, shiptar i vdekur, shiptar i mirë; vdekje për shiptarët.”
Për këtë kërcënim, Fetai ka thënë se tashmë e ka njoftuar ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
“Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij kërcënimi. Njoftoj kërcënuesin dhe opinionin se e kam informuar personalisht ministrin e brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe rritje të masave të sigurisë sime personale. Padia është në përgatitje, pasi kërcënuesit dhe ekstremistët duhet të marrin përgjigjen e merituar: dënim me burg sipas ligjeve në fuqi.
Njëkohësisht, u bëjmë me dije të gjithë atyre që kanë mendësi tribale se nuk ka fuqi që na ndalon nga përgjegjësia që kemi marrë si funksionarë të koalicionit VLEN. Kujtoj të gjithë se gjuha shqipe nuk kërcënon asgjë dhe askënd. Gjuha është pasuri, mjet komunikimi që shërben për t’u kuptuar dhe bashkëpunuar, prandaj, asesi nuk do të lejojmë që gjuha shqipe të jetë pretekst për matrapazët e këtij soji të pengojnë punën tone”, ka shkruar Fetai.