Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq i ka drejtuar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në të cilën ai shprehet shumë i lumtur që do të ketë mundësinë të takohen personalisht më 1 shtator në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit.
“Takimi jonë i fundit i shkurtër në Slavonski Brod u mbajt nën hijen e aksidentit të tmerrshëm me autobus që mori jetët e dhjetë kosovarëve gjatë rrugës së tyre për pushime verore në vendlindje”, ka shkruar Plenkoviq.
44 kosovarët e aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate dhe 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë, e ka njoftuar kryeministri kroat kryeministrin Kurti.
Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik, ka thënë Plenkoviq.
Përderisa ka shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive tona”.
Kryeministri kroat ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën euroatlantike të Kosovës, në aspektin politik dhe gatishmërinë për të vazhduar ndihmën për reforma.
“Mezi pres që të hulumtojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit bilateral, duke përfshirë ngritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtisë dhe investimeve, që do të sigurojnë rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë”, ka shkruar Plenkoviq. /GazetaSinjali/