Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Anita Sylës, e cila dyshohet se plagosi me armë zjarri personazhin kontrovers, Princ Valentino Corleone, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Prokuroria ka bërë të ditur se 22-vjeçarja dyshohet se ka kryer dy veprat penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
“Me datë 11.08.2022, Prokuroria Themelore ne Gjilan, ka ndaluar për 48 orë të dyshuarën A.S nga Gjilani, për shkak të dyshimit të bazuar se e njëjta ka kryer dy vepra penale dhe atë : Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 të KPRK-së. Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, ka filluar hetimet dhe njëherit brenda afatit ligjor ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se gjendja shëndetësore e Valit është stabile dhe ai është shtrirë në repartin e Kirurgjisë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.