Një orë më parë në qendër të Prishtinës është plagosur një person nga të shtënat me armë zjarri. Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin për Gazetën Sinjali.
Flora Ahmeti, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës ka thënë se në rrugën “Afrim Vitija” ka pasur të shtëna dhe se një person është plagosur.
Ahmeti ka njoftuar se i plagosuri është dërguar për tretman mjekësor.
“Sot rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën se në rrugën “Afrim Vitija” në Prishtinë, ka pas të shtëna me armë zjarri. Policia me të marrë informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe është duke e bërë ekzaminimin e vendit ku ka ndodhë rasti”.
“Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit është plagosur një person. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor. Në kuadër të veprimeve të saj policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin vendndodhjen e të dyshuarve të mundshëm si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, ka deklaruar Ahmeti për Sinjalin.