image Pjesëtari i FSK-së në Gjilan përfundon në Polici, shkaktoi rrezik duke gjuajtur me armë për Vitin e Ri

Siguri

Pjesëtari i FSK-së në Gjilan përfundon në Polici, shkaktoi rrezik duke gjuajtur me armë për Vitin e Ri

news image

Të shtënat me armë gjatë festave në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Edhe mbrëmë në natën e Vitit të Ri ka pasur disa raste kur e kanë pësuar qytetarët, por fatmirësisht jo me fatalitet. Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gjilan siç duket vendosi të festojë mbrëmë me armë, por kjo i kushtoi, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për ushtarin L.H., 25-vjeçar, i cili po dyshohet se ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi, pak pas ndërrimit të viteve. Për pasojë, nga të shtënat, një predhë ka përfunduar në veturën e një qytetari.

Pjesëtari i FSK-së po dyshohet se ka shkaktuar rrezik me përdorimin e armës, prandaj rasti është denoncuar menjëherë në Polici. Një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku është marrë edhe një deklaratë nga i dyshuari dhe është njoftuar mbikëqyrësi i tij.

Me t’u përfunduar procedurat policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj ushtarit janë iniciuar rastet për dy vepra penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Përdorimi i armës”.

/GazetaSinjali/