image Pjesëtarët serbë të Policisë kërcënojnë me dorëheqje, Qeveria akoma në dilemë se çfarë të bëjë me drejtorin Gjuriq

Siguri

Pjesëtarët serbë të Policisë kërcënojnë me dorëheqje, Qeveria akoma në dilemë se çfarë të bëjë me drejtorin Gjuriq

news image

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në veri ka dalë haptazi kundër vendimit të Qeverisë për shpërndarjen e fletëve qortuese për shoferët që lëvizin me vetura që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizuesi i Sinjalit për veriun e vendit njofton se tashmë ka filluar konsultimi dhe organizimi i heshtur i zyrtarëve policorë serbë, që në rast se pasojnë veprime ndëshkuese për ta ose eprorin e tyre, ata do të kërcënojnë me dorëheqje.

Ky burim thotë se zyrtarët policorë në koordinim me Listën Serbe tashmë kanë marrë instruksione të qarta që të mos zbatojnë vendimin e Qeverisë për targat ilegale.

Sinjali mëson se zyrtarët policorë të njësive elitare tashmë janë vënë në gatishmëri të lartë për t’u përballur me çfarëdo situate në veriun e vendit.

Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me zyrtarët për media të Policisë së Kosovës, por deri më tani nuk nuk ka arritur që të marrë informacione zyrtare.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur nëse do merren masa ndëshkuese për drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili gjatë ditës së djeshme njoftoi se Policia atje do të bojkotojë vendimin për lëshimin e fletëve qortuese për shoferët me targa ilegale me akronime si: ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’.

Më 1 nëntor Policia e Kosovës ka nisur të lëshojë letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë.

Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, do të zhvillohet në tri faza.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

/GazetaSinjali/