Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka komentuar sërish ditën e sotme Samitin e BE-së në Tiranë, teksa më herët deklaroi se asnjë zyrtar serb nuk do të merrte pjesë.
Vuçiq iu drejtua qytetarëve pas takimit me Komisionerin Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ndërsa tha se nuk është as i dehur dhe as i çmendur për deklaratat që ka dhënë ndaj dhe nuk u kursye edhe njëherë, edhe ndaj ndërkombëtarëve.
“Fola dhe e njoha Varhelyin me pikëpamjen tonë për situatën në Kosovë. Më duhet të them që nuk jam as i çmendur, as i dehur, as budalla, gjithçka që pi është çaj kamomili dhe Zero Cola, por theksova gjithçka që ka ndodhur që nga fillimi i vitit. Nuk u pendova për asnjë fjalë. E kam fjalën për gjithçka që kam thënë për Kurtin, Trajkoviç dhe Rashiç. Gjithçka thashë dje, e them edhe sot,” – tha presidenti.
Kujtojmë se Vuçiq ka reaguar dje ndaj vendimit të Albin Kurtit për emërimin e Nenad Rashiç si ministër për komunitete, si dhe ndaj reagimeve të Bashkimit Evropian për këtë veprim.
Të martën Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit.