image Pezullimi i ndërtimit të Rrugës A, reagon Rama: Motra e deputetes të VV-së bllokoi punimet në këtë rrugë

Ekskluzive

Pezullimi i ndërtimit të Rrugës A, reagon Rama: Motra e deputetes të VV-së bllokoi punimet në këtë rrugë

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se Gjykata Komerciale e Prishtinës ka vendosur që tani për tani të pezullohet ndërtimi i Rrugës A, pas ankesës që e ka bërë ndërrmarja “Pro & CO Group” kundër operatorit ekonomik “Sallahu” i cili e kishte fituar tenderin 8.5 milionësh.

Vendimi i nxjerrë më 17 tetor thotë se “Gjykata po ashtu vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedural është më se i dhuru që të ruhet interesi publik”, saktëson vendimi i Komerciales të cilin e ka Gazeta Sinjali.

Ky vendim ka ardhur pas ankesës që në këtë gjykatë e ka bërë ndërrmarrja “Pro & CO Group” SHPK.

Rreth këtij rasti ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili thotë se është njoftuar nga mediat për ndalimin e punimeve në projektin “Rrugën A” (Jim Xhema).

Ai thotë se ky vendim është kundër interesit publik dhe që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit.

Për këtë, Rama ka akuzuar gjyqtaren Vlora Pacolli, motrën e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, se vendimin e ka marrë bazuar “plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës”.

Deklarata e plotë:

Të dashur qytetarë,

Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, “Rrugën A” (Jim Xhema).

Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli.

Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit.

Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike. Kërkojmë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik si palë direkte në këtë procedurë që të ankohet ndaj këtij vendimi që cenon interesin publik.

Ndërsa, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, që në kuadër të kompetencave që ka, të sigurohet që ky proces të jetë i drejtë, profesional, i paanshëm, dhe i bazuar vetëm në ligj.

/GazetaSinjali/