Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, në një intervistë të gjatë për edicionin e BBC-së në gjuhën serbe ka folur për rrjedhën e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bllokimin e procesit, idenë e korrigjimit të kufijve dhe aspekte të tjera.
Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, Petrich ka thënë se fillimisht ka qenë i hapur ndaj një ideje të tillë, por thekson se ishte i bindur që një ide e tillë nuk ishte një zgjidhje që mund të aplikohej në shekullin 21.
“Ndryshimet kufitare kanë ndodhur në të kaluarën përmes luftës dhe konflikteve”, ka thënë Petrich për BBC, transmeton Gazeta Sinjali.
Në këtë intervistë diplomati austriak ka treguar edhe për kundërshtimin kategorik të Gjermanisë për idenë e ndryshimit dhe shkëmbimit të territoreve.
“Wolfgang Ischinger më ka thënë se ne e dimë çfarë nuk duan në Berlin, por ata nuk ka thonë neve se çfarë dëshirojnë”, ka shpjeguar Petrich.
Ai thotë se edhe nëse dy palët do të pajtoheshin për ndryshime të kufijve, konsensusi i palëve të përfshira do të ishte i nevojshëm dhe se një gjë e tillë do të merrte shumë kohë për të analizuar në mënyrë të detajuar i gjithë procesi.
“Përndryshe nuk ka zgjidhje të mira ose perfektë në Ballkan”, konkludon Petrich.
Teksa flet për përfshirjen e fuqive të mëdha në gjetjen e një zgjidhje finale për problemin Kosovë-Serbi, Petrich thotë se involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të paraqiste problem për procesin.
“Unë, si evropian nuk do të doja të shoh një zgjidhje amerikane për problemin evropian”, ka thënë Petrich.
Diplomati austriak ndërkohë i thur lavde ambasadorit aktual të Rusisë në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko, më të cilin ishte njohur gjatë kohës sa kishte qenë përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë.
“Diplomatët rus janë profesionistë të vërtetë, ata nuk kanë pozicione politike si amerikanët”, ka thënë ndër të tjera Petrich.
Në këtë intervistë ai e ka pranuar hapur se është angazhuar që të afrojë sa më shumë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me atë të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke zbuluar kështu që kishte qenë edhe iniciator i organizimit të Forumit të Alpbachut në Austri, forum ky ku për herë të parë filluan hapur diskutimet për korrigjimin e kufijve.
“Unë i propozova një takim të tillë presidentit austriak, kështu që u organizua në Forumin Alpbach”, ka thënë Petrich.
Përveç kësaj diplomati asutriak propozon edhe ndryshimin e formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të ishte ide e mirë të organizohej një konferencë ndërkombëtare.
Duke folur rreth rolit të Rusisë në bisedimet për Kosovën dhe kthimin e Grupit të Kontaktit, Petrich thotë se “ Moska është duke i dërguar porosi Washingtonit që është e pamundur që SHBA të vijë në Ballkan dhe t’i marrë gjërat në duar duke theksuar interesat e saj.
Sipas Petrich, Moska është duke ia dërguar një porosi të veçantë BE’së.
“Moska dëshiron ta prishë situatën, sepse nuk e do një BE të fortë dhe të vendosur – dhe Ballkani është një dëshmi për këtë” ka thënë Petrich. /Sinjali/