image Petkoviq: Nuk kemi lidhje me dokumentin "Non-paper", pse askush s'po flet për dokumentet e Shqipërisë së Madhe

Rajon

Petkoviq: Nuk kemi lidhje me dokumentin “Non-paper”, pse askush s’po flet për dokumentet e Shqipërisë së Madhe

news image

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, thotë se “Non-paper” për ndryshimin e kufijve nuk është një dokument i shtetit të Serbisë, transmeton Gazeta Sinjali.

Ai mes tjerash thekson se është e çuditshme që presidenti Aleksandar Vuçiq po sulmohet në lidhje me këtë.

“Ne nuk e kemi shkruar, dhe as kemi ndonjë lidhje me të, por është e çuditshme që presidenti serb Aleksandar Vuçiq po sulmohet në këtë drejtim”, i tha Petkoviq RTV-së.

“Një Serbi e fortë dhe e suksesshme, një Serbi që është lider në rajon, nuk u shkon për shtat atyre. Sa dokumente kishte rreth “Shqipërisë së Madhe” dhe askush nuk u ngrit në këmbë për t’u rebeluar në lidhje me të, për të thënë se ishte copëtim i Serbisë. Për mua nuk është e qartë se kush janë ata që mund të vendosin për të ardhmen e Serbisë, popullin serb dhe shtetin serb”, shtoi ai, transmeton Gazeta Sinjali.

Ka pasur raportime se kryeministri slloven Janez Jansha kishte dërguar një dokument jozyrtar diplomatik (“Non-paper”) në Bruksel, i cili flet për një ripërcaktim të kufijve në Ballkan.

Sipas këtij dokumenti ishte propozuar ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Sërpska nga Bosnja e Hercegovina. /Gazeta Sinjali/