Pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka folur kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, duke thënë se nuk do të lëshojnë më targa të rej KM. Derisa sipas tij të gjithë pronarët e veturave që posedojnë targa KM, do të mund t’i regjistrojnë ato.
“Marrëveshja për targat e arritur në Bruksel nënkupton se nuk ka politikë ndëshkuese të institucioneve të udhëhequra nga Albin Kurti ndaj serbëve që ngasin veturat me targa KM”, tha Petkoviq.
Më tej ai ka theksuar se Kurti ka pranuar të gjitha ato që i refuzoi në ditët e mëparshme.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovë theksoi se me këtë marrëveshje nga sot në ora tetë nuk ka dënime prej 150 euro të planifikuara nga Albin Kurti dhe nuk ka politikë dënimi në të gjitha fazat tjera që ishin pjesë e vendimit të Albin Kurtit lidhur me procesin e parapregjistrimit.
“Me këtë marrëveshje ne kemi ruajtur paqen dhe kemi arritur të shpëtojmë njerëzit tanë në veri të Kosovës”, tha Petkoviq.
Ai thekson se është veçanërisht e rëndësishme që targat KM të mbesin me këtë marrëveshje.
“Bëhet fjalë për targat që janë legale, të lëshuara ligjërisht nga Republika e Serbisë dhe të cilat serbët në Veri të Kosovës do të mund t’i përdorin. Ata do të vazhdojnë të jenë në përdorim siç ishin deri më tani”, tha Petkoviq.
Siç tha ai, kjo nënkupton ndër të tjera, se të gjithë pronarët e veturave që posedojnë targa KM, do të mund t’i regjistrojnë automjetet normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e tyre.
“I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave krejt të reja KM derisa të biem dakord dhe të gjejmë një zgjidhje përfundimtare në lidhje me targat. Por për tre vitet e fundit ato targa të reja KM nuk janë lëshuar gjithsesi”, tha Petkoviq.