Peshëngritësi Briken Caljes e ka përfunduar garimin në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Peshëngritësi shqiptar zhvilloi një paraqitje shumë të mirë, duke u renditur në vend të katërt në Olimpiadë. 31-vjeçari e mbylli me 151 kg të ngritura në stilin e shkëputjes në Lojërat Olimpike të Tokios. Vendi i shtatë për Caljen në shkëputje, teksa ka bërë shumë më mirë në stilin e shtytjes.
Calja çoi 184 kg në tentativën e parë, ndërsa dështoi në të dytën me 188 kg. Fantastike prova e tretë e peshëngritësit nga Elbasani, i cili ia doli të çojë 190 kg.
Sportisti kuqezi e mbylli dygarëshin me 341 kg të ngritura, duke u renditur në vend të katërt në dygarësh. Vetëm 1 kg ishte Calja larg medaljes se bronztë. /Gazeta Sinjali Sporti/