image Pesë orë pa rrymë në kryeqytet, deklarohet zëdhënësi i KEDS-it

Kosovë

Ekonomi/ Pesë orë pa rrymë në kryeqytet, deklarohet zëdhënësi i KEDS-it

news image

Disa zona urbane të kryeqytetit  mbrëmë pas mesnate kanë mbetur pa energji elektrike.

Banorët janë përballur me këtë gjendje për disa orë me radhë, deri në mëngjes kur është kthyer furnizimi normal.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala ka deklaruar se kjo gjendje është shkaktuar si rrjedhojë e punimeve për përmirësimin e rrjetit elektrik.

Ai thotë se kjo ndërhyrje ka qenë e planifikuar dhe se nuk bëhet fjalë për reduktim si pasojë e mungesës së rrymës.

 “Për shkak të punimeve në digjitalizim të rrjetit elektrik, përkatësisht vendosjes së sistemit SCADA ne kemi bërë ndërperje të planifikuar mbrëmë nga mesnata, pra nga 00:00 deri në ora 5:00 të mëngjesit (ka zgjatë 1 orë mbi planfikim). Për këtë i kemi njoftuar edhe konsumatorët përmes mediave paraprakisht. Të ndërpera me plafikikim kanë qenë lagjet Dardania, Ulpiana dhe një pjesë e konsiderueshme e qendrës së Prishtinës.  Kjo kohë është zgjedhur pasi konsumatorët shumica janë në gjumë dhe kanë nevojë më së paku për energji elektrike, për cka e tregon edhe konsumi që është vazhdimisht minimal.”, ka thënë Buzhala për gazetën Sinjali duke shtuar se ky investim po bëhet për të mirën e konsumatorëve,  që ata të kenë shërbime sa më kualitative dhe rrjet më efikas.

Zëdhënësi i KEDS-it thekson se SCADA është treguar shumë efikas deri sot aty ku është vendosur, duke minimalizuar prishjet dhe kohën e tyre, sikurse funksionimin më të mirë të rrjetit elektrik.

Në anën tjetër, po mbrëmë ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike edhe në pjesën lindore të kryqytetit të cilat janë shkaktuar si pasojë e erërave të forta dhe kushteve të rënduara atmosferike.

“Një pjesë e konsumatorëve në pjesën lindore të qytetit, përkatësisht Matican dhe fshatrat nga Mramori deri në Koliq, duke përfshirë për një kohë të shkurtër edhe Hajvalinë, kanë pasur prishje, pasi ka filluar të fryejë një erë e fortë rreth orës 15:30. Por, pjesa më e madhe e konsumatorëve kanë pasur energji elektrike sërish pas një periudhe disaminutëshe, ndërsa në fshtarat e largëta me terren të thepisur malor si Koliqi kjo ka zgjatur më tepër, pra disa orë.”

Buzhala ka thënë se ekipet e KEDS-it kanë dalë menjëhërë në terren për ta sanuar gjendjen dhe se brenda disa orëve është kthyer furnizmi i rregullt me energji elektrike./Gazeta Sinjali/