image Pesë komisione parlamentare mbajnë mbledhje sot

Politikë

Pesë komisione parlamentare mbajnë mbledhje sot

news image

Sot, në Kuvendin e Kosovës do të mbahen mbledhjet e pesë komisioneve parlamentare.

Komisioni i parë që do të mblidhet sot është ai për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, i cili në orën 10:00 do të ketë dëgjim publik lidhur me zbatimin e strategjisë nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë 2013-2023.

Në të njëjtën orë do të mblidhet edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, i cili në rend dite ka shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2020-të. E ftuar do të jetë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Po ashtu, në këtë komision do të shqyrtohet edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë Regjionale “Bifurkacioni” për vitin 2020, ku i ftuar do të jetë kryetari i bordi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv.

Deputetët e këtij komisioni do të shqyrtojnë edhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ndërmarrjes Publike Lokale “Hortikultura” Sh.A për vitin 2020. Të ftuar do të jenë edhe kryetari i bordit dhe kryeshefi ekzekutiv.

Kurse, në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që po ashtu do të mblidhet në ora 10:00, do të shqyrtohet Projektligji për Amandametimin 02 të Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, për projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II).

Në ora 11:00 do të mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Në këtë komision do të shqyrtohet projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MAShTI-it dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e projektit “Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e Lartë +(HERAS +)” (ADA numri referues 8116-00-2020).

Para deputetëve të këtij komisioni do të raportojë edhe ministrja e MAShTI-t, Arbërie Nagavci.

Ndërkohë që pritet të formohet grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Botimin e Teksteve Shkollore dhe Dokumentacionit Pedagogjik.

Ndërsa, në ora 13:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, shkruan Gazeta Sinjali.

Në këtë komision do të shqyrtohet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Po ashtu, do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Gjykatë Komerciale./Gazeta Sinjali/