Në kohën e pandemisë së COVID-19, tashmë kanë filluar të shpërfaqen edhe simptoma të infektimeve me virusin sezonal, të cilat janë të ngjashme me koronavirusin.
Dallimi mes këtyre viruseve, sipas profesionistëve shëndetësorë është se koronavirusi i ri është më i ashpër se viruset sezonale, pikërisht për shkak të përhapjes së shpejtë. Ndërkaq sa i përket simptomave, ka ngjashmëri, si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhembje, etj.
Profesionistë shëndetësorë kanë thënë se numri i pacientëve nëpër Qendra të Mjekësisë Familjare ka filluar të rritet, krahas numrit të të infektuarve me koronavirus.
Ajo çka mbetet sfidë është identifikimi i sëmundjes, në këtë rast virusit sezonal nga ai i koronavirusit, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Doktoresha familjare, Ilire Bunjaku, i tha Radios Evropa e Lirë, se shumë simptoma të gripit sezonal janë të ngjashme me ato të COVID-19. Megjithëkëtë, jo çdo pacient me shenja të koronavirusit, e testojnë. Andaj siç thotë doktoresha Bunjaku, ka lëshime edhe nga ana e mjekëve dhe sfida mbetet te simptomat e njëjta mes virusit sezonal dhe koronavirusit.
“Ajo çka po vërejmë është rritja e numrit të pacientëve që po kërkojnë ndihmë dhe çdo simptomë po e lidhin me COVID-19, andaj edhe numri i pacientëve është rritur kohët e fundit”.
“Problem mbetet detektimi i saktë i virusit. Ndërkohë që për të bërë një test për COVID-19, pacienti duhet ta ketë temperaturën mbi 38.5 dhe faturimi i oksigjenit të jetë nën 95 për qind. Përndryshe e vlerëson mjeku, por që ka lëshime edhe nga ana e pacientëve, por edhe nga ana e mjekëve, pasi simptomatologjia pothuajse është e njëjtë”, tha Bunjaku.
Ndryshe, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.
Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, për ç’gjë, autoritetet kishin shpallur atëbotë gjendjen epidemike të gripit. Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal.
Lindita Ajazaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive, tha se për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19, ndonëse ka pacientë me simptome të virusit, që tentojnë të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive, aty tashmë ka të shtrirë vetëm pacientë pozitivë me COVID-19.
Ajo shton se për dallim nga muajt e mëhershëm, kur filluan të shfaqen rastet e para me koronavirus, çdo qytetarë që ka pasur simptoma e që është lajmëruar në Klinikën Infektive, është identifikuar nëse është pozitivë apo jo me COVID-19.
Kjo nuk po ndodh më, për shkak se, siç thotë Ajazaj, të mbingarkesës me pacientë të sëmurë me COVID-19 që ka kjo klinikë.
“Te ne janë vetëm (pacientët) COVID pozitivë. Këta pacientë, si të dyshimtë, zakonisht paraqiten në Qendra të Mjekësisë Familjare apo në Klinikën Emergjente”, tha ajo.
Në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Basri Lenjani bëri të ditur se ka pacientë me simptoma të virusit që lajmërohen në emergjencë. Deri në zbulimin e tyre nëse janë pozitivë me COVID-19 ose janë me virus sezonal, pacientët qëndrojnë në një hapësirë që tashmë është dedikuar për ta.
“Ne si Klinikë Emergjente kemi krijuar hapësirë prej tre shtretërve, ku bëhet pranimi dhe diagnostikimi, e më pas dërgohen në klinikat gjegjëse. Klinika Emergjente është në gatishmëri që t’i mbështesë klinikat, por duhet ruajtur këtë klinikë për shkak se ka shumë sëmundje tjera, raste të lëndimeve, helmimeve dhe këto raste e mbingarkojnë klinikën, por përkundër kësaj ekziston një bashkëpunim me klinikat që merren me COVID-19”, tha Lenjani.
Ndryshe, një tjetër karakteristikë që e dallon koronavirusin e ri nga viruset sezonale është mungesa e ilaçit të aprovuar për ta trajtuar atë.
Pacientët me COVID-19 në vazhdimësi po trajtohen me terapi mbështetëse, pasi që nuk ka ndonjë terapi të aprovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Mikrobiologu Lul Raka, tashmë ka deklaruar se të dyja viruset përhapen me rrugë të njëjtë, përmes kontaktit, spërklave dhe më rrallë, përmes gjësendeve të prekura. Prandaj, edhe në parandalimin e tyre, siç thotë ai, përdoren të njëjtat masa të shëndetit publik, siç janë, higjiena e duarve, mbajtja e faculetës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, mbajtja e maskës dhe distanca fizike.
Por, mikrobilogu Raka thotë se elementi dallues ndërmjet virusit sezonal dhe koronavirusit është te shpejtësia e përhapjes.
“Shpejtësia e përhapjes së infeksionit është një element i rëndësishëm dallues. Gripi ka një mesatare më të shkurtër të kohës së inkubacionit dhe një interval serik më të shkurtër se virusi që shkakton COVID-19. Intervali serik për këtë të fundit vlerësohet të jetë 5-6 ditë, kurse te gripi është 3 ditë”, shpjegon Raka.
Sidoqoftë, sipas Rakës, vdekshmëria nga COVID-19 është 6.8 për qind në nivel global, por ajo përfshin vetëm rastet e raportuara në institucionet shëndetësore. Për gripin sezonal, vdekshmëria është zakonisht 0.1 për qind, thotë ai. /Gazeta Sinjali