Sot është vendosur obelisku para hyrjes kryesore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në nderim të punëtorëve shëndetësor që vdiqën nga COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i quajti heronj të pandemisë punëtorët shëndetësor që kanë vdekur si rezultat i infektimit me Coronavirus, duke shtuar se ky monument flet për respektin e të gjallëve për ta.
“Përkujtojmë dhe përulemi për heronjtë e pandemisë. Ky monument është shenjë e vogël respekti nga ne te gjallët. Le të na shërbejë devotshmëria e kolegëve dhe humanizmi i tyre”, ka thënë Latifi.
Kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve Shëndetësorë, Naser Rrustemaj me rastin e përurimit të obeliskut ka thënë OIK do t’i kujtojë me krenari gjithë ata punonjës shëndetësorë që kanë ndërruar jetë duke luftuar për shëndetin e pacientëve.
“Sikurse gjatë luftës në Kosovë, edhe gjatë pandemisë Covid 19 infermierët kanë qenë në krye të detyrës”, ka shtuar Rrustemaj.
OIK është njëra nga investitoret kryesore të obeliskut, duke qenë bashkëparticipuese e 40 përqind të vlerës së obeliskut.
/GazetaSinjali/