Numri i të infektuarve nga Covid-19 ditëve të fundit është në rritje, e në lidhje me këtë ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili ka kërkuar veprime urgjente nga Policia, Komunat dhe Inspektorët.
Përmes një postimi në Facebook, Zemaj kërkoi nga Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë më komunat të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
“Është koha të veprojmë urgjentisht për të parandaluar përkeqësimin e situatës, për të cilën kemi veç shenjat e para”, u shpreh ai.
Në takimin e sotëm, të jashtëzakonshëm, të Komitetit për Vlerësimin dhe Koordinimin e situatës lidhur me Covid-19, diskutuam për zhvillimet e dy ditëve të fundit me situatën epidemiologjike në vend si dhe për përgjegjësitë që duhet t’i kemi secili institucion në mandatin e vet, në mënyrë që edhe tash pas lirimit të masave, situata me Covid 19 të jetë e menaxhueshme.
Është koha të veprojmë urgjentisht për të parandaluar përkeqësimin e situatës, për të cilën kemi veç shenjat e para.
Sipas të dhënave tona rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike, që është një tregues shumë i keq dhe që flet se ajo që është thënë në takimin e fundit të Komitetit se ka mos-dicipilinë në administratën shtetërore sa u përket zbatimit të masave, po del të jetë e vërtetë, pa i harruar institucionet e tjera dhe veçmas sektorin e gastronomisë, i cili bën presion çdo ditë, iu dha edhe më shumë kohë për të ushtruar veprimtarinë për një orë më shumë, ndërsa në anën tjetër nuk zbatohen masat.
Kërkoj sot që Policia e Kosovës dhe të gjitha inspektoratet pa dallim, bashkë më komunat të veprojnë urgjentisht në parandalimin e përkeqësimit të situatës, bashkë me neve.
Inspektimet duhet të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të jepen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe të mos ketë asnjë lloj shkarje prej ligjit, por të zbatohet me përpikëri.
Gjithashtu, kërkoj që të gjitha institucionet t’i ndalin urgjentisht seminaret, punëtoritë dhe format e tjera të organizimit ku ka grumbullim njerëzish sikurse edhe veprimtaritë e ndryshme krejtësisht të panevojshme si promovimet e ndryshme, tubimet publike dhe aktivitete të tjera që mund të shmangen dhe nuk janë domosdo që të mbahen me prani e grumbullim të njerëzve.
Për më tepër, në rritjen e rasteve si duket ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve këtyre ditëve në Kosovë, nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19.
Është evidente gjithashstu se ka rënie të disiplinës në bartjen e maskave dhe sidomos në ruajtjen e distancës.
Prandaj, që të mos e kthejmë korrikun në nëntor duhet të veprojmë urgjentisht.
Përderisa 37 shkolla tashmë janë kthyer nga seknari A në skenarin C, mësim on-line, atëhere po on-line duhet të vazhdohen edhe takimet e punës dhe mos të ketë tubime dhe grumbullime të masës në asnjë rast dhe për asnjë arsye.
Si MSH, po bëjmë përgatitjet edhe me institucione e tjera që të forcojmë edhe më tej kapacitetet dhe që nga jave e ardhshme, 75 inspektorë të rinj do të kyçen për të ndihmuar në luftimin e pandemisë, si pjesë e grupit prej 375 profesionistëve të angazhuar në menaxhimin e situatës përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare.
Gjithashtu po bëjmë përpjekjet e duhura që në nëntor të nisim me vaksinimin kundër gripit sezonal, ndërkohë që kapacitetet testuese këtë javë janë rritur ndjeshëm.
Prandaj po kërkoj nga secili institucione veprime konkrete dhe në ditët ne vijim raportim për aktivitetet e ndërmarra nga sot për të parandaluar një valë tjetër, e cila në rrethanat edhe të gripit sezonal dhe virusëve të tjerë eventualë mund të na shkaktojnë shumë problem.
Mbroni veten dhe njerëzit që ju rrethojnë!
Respektoni masat anti covid për të frenuar përhapjen e virusit!
Me kujdes çdo ditë, e mundim virusin!
Bashkë ia dalim!
Vendose maskën!
Mbaje higjienën!
Ruaje distancën!/Gazeta Sinjali/