Denoncimi i një qytetari nga fshati Mirenë i Lipjanit për persona të dyshuar, me maska e me uniforma ushtarake ka alarmuar Policinë, të shtunën mbrëma. Qytetari që raportoi rastin kishte vërejtur disa persona të ulur në një pjesë të fshatit, me ç’rast njoftoi Policinë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë kontrollin e lokacionit dhe verifikimin e personave të dyshuar.
Por nuk doli ashtu siç dyshohej, pasi Policia gjeti një person të veshur me uniformë ushtarake, por i njëjti nuk kishte maskë. Gjatë kontrollit policor, atij iu gjeten disa pajisje për peshkim, që u konfiskuan nga Policia. Pra të dyshuarit, ishin peshkatarë.
I dyshuari u shoqërua në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë për ngjarjen, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Peshkim i Kundërligjshëm”.