Në ora 14:00 ishte në plan që të fillonte seanca plenare ku kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të ishte në interpelancë për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”, shkruan Gazeta Sinjali.
Por, kjo seancë nuk ka filluar në kohën e duhur pasi në Kuvend janë vetëm 43 deputetë të pranishëm.
E për këtë, kryesuesja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje që deputetët e LDK-së dhe të tjerët të bashkëngjiten me ta në sallë.
“Kanë kaluar 10 minuta, ju ftoj gjithë kolegëve të vijnë, jemi 43 deputetë ne sallë, i ftoj të gjithë deputetët e LDK-së dhe të tjerët të na bashkëngjiten”, tha ajo.
Nagavci tutje tha se shpreson që në ora 14:30 të fillojë kjo seancë.
Ndryshe, gjatë seancës së parë, pati përplasje në Kuvend, pasi deputetët e VV-së kanë goditur tavolinat e tyre duke bërë zhurmë pasi Selmanaj është parë në ambientet e Kuvendit.