Një mosmarrëveshje mes një çifti bashkëshortor në Prishtinë ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe inicimin e dy rasteve penale, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se incidenti ka ndodhur pasditen e së premtes në rrugën “Xhevdet Doda”, ku njësitë policore kanë dalë në vendngjarje pas raportimit për dhunë në familje.
Sipas informacioneve, në konflikt ishin përfshirë bashkëshortët A.D dhe F. H, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor për intervistim.
Nga deklarimet e dhëna para hetuesve, dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, gruaja kishte marrë një thikë në dorë me qëllim që ta largonte bashkëshortin nga banesa, ndërsa ky i fundit ka deklaruar se e kishte shtyrë në fytyrë për ta penguar.
Burimet bëjnë të ditur se thika nuk është përdorur gjatë incidentit dhe asnjëra palë nuk ka pësuar lëndime trupore.
Pas konsultimit me Prokuroren kujdestare për Dhunë në Familje, ndaj A.D është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”, ndërsa ndaj F. H. rasti “Sulm”.
Rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!