Ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri dhe ish-deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, janë përplasur ashpër në për qeverisjen Haradinaj dhe për legjislaturën që i dha fund mandatit të saj. Ushtria dhe taksa, kanë qenë temat që kanë shkaktuar përplasje të mëdha mes tyre në “Imazh” te RTK.
Selmanaj tha se guximi i Haradinajt ka qenë ai që ka bërë që Kosova sot ta ketë ushtrinë dhe të mos e heq taksën ndaj Serbisë. Ai ka lexuar një listë vendimesh e suksesesh të qeverisë Haradinaj, të cilat i ka kundërshtuar ish-deputetja Gaxherri.
Ajo ka thënë se ka qenë opozita e dikurshme ajo që nuk e ka lejuar kryeministrin Mustafa të ndërmarr veprime konkrete, sepse sipas saj ushtria do të mund të bëhej edhe në kohën e ish-kryeministrit Mustafa. Por Selmanaj ka kundërshtuar këtë duke thënë se Mustafa nuk ka pasur guxim për të bërë veprime të mëdha për vendin.
Sa i përket taksës, Selmanaj e Gaxherri kanë pasur mendime të ndryshme. Gaxherri tha se këtë tash AAK-ja po e përdor për populizëm, duke paralajmëruar heqjen e saj nëse LDK vjen në qeveri, por me disa kushte. Kurse Selmanaj tha se AAK-ja nuk do ta heq taksën pa një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do të sjellte njohjen reciproke.
Selmanaj e Gaxherri janë përplasur edhe për dorëheqjen e Haradinajt nga posti i kryeministrit. Ish-deputetja e LDK-së tha se Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga presioni për taksën e jo për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Me këtë nuk është pajtur Selmanaj, i cili ka thënë se dorëheqja e Haradinajt ka qenë ekskluzivisht për shkak të Speciales, duke e akuzuar Gaxherrin se po manupulon me këtë çështje.