Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci në seancën plenare të Kuvendit, i është kundërpërgjigjur deputetes së LDK-së Besa Gaxherit lidhur me donacionet e Serbisë.
Nagavci i tha Gaxherit se Kosova tash ka një zëvendëskryeministërnga radhët e Listës Serbe, i cili mund të japë shpjegime se ku kanë shkuar donacionet e ardhura nga Serbia.
“E kemi edhe një zëvendëskryeministër tani nga Lista Serbe, i cili iu ndihmon sigurisht të kuptoni se ku kanë shkuar ato”, tha ajo.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili këshilloi Nagavcin që derisa ta kryesojë seancën, të mos komentojë diskutimet e deputetëve.
“Zonja Nagavci në formë të këshillës për ju si kryesuese e seancës është e patolerueshme t’i komentoni diskutimet e deputetëve, pra nuk preferohet kryesuesi i seancës të komentojë diskutimet individuale të deputetëve, mund të marrësh fjalën për të diskutuar me replika dhe kundër replika, por jo prej pozitës si udhëheqës e seancës, andaj miqësisht të këshilloj të mos i përdorësh më“, tha Gashi.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se për shkak të pandemisë kanë kërkuar mirëkuptim që foltorja të mos shfrytëzohet nga shumë deputetë, andaj sipas saj secili kryesues mund të kërkoj replikë nga vendi.
“Një rregull për të cilin jemi pajtuar që të gjithë që nga fillimi i këtyre rrethanave është që të tentojmë të flasim nga vendi në mënyrë që kjo foltore mos të shfrytëzohet nga shumë njerëz. Në seancat e kaluara kam kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe e kam pasur që edhe unë të flas nga vendi, në mënyrë që të mos shfrytëzohet foltorja, por në rregullat e njëjta sikur deputetët të tjerë, pra edhe unë edhe secili kryesues i seancës kur kërkojmë replikë sipas rregullores së Kuvendit”, tha Osmani. /Gazeta Sinjali/