Pesëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën pasi një skaf që transportonte turistë indianë u përmbys pranë një ishulli në jug të Vietnamit, sipas raportimeve të mediave lokale.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se në mjetin lundrues ndodheshin 32 shtetas indianë dhe katër anëtarë të ekuipazhit, kur ai u përmbys rreth 400 metra larg ishullit Hon May Rut Ngoai, në kushte të vështira detare të shtunën.
Disa mjete turistike që operonin në zonë shkuan menjëherë në ndihmë, duke gjetur shumë pasagjerë të bllokuar brenda skafit, raportoi gazeta vietnameze VnExpress. Njëzet e një persona u shpëtuan më vonë.
Hon May Rut Ngoai, një ishull i paprekur në arkipelagun An Thoi në Gjirin e Tajlandës, tërheq shumë turistë nga e gjithë bota për turet me varka nga një ishull në tjetrin. Ai ndodhet rreth 10 kilometra në jug të Phu Quoc, ishullit më të madh të Vietnamit, raporton BBC – transmeton Sinjali.
Nguyen Tien Hai, një zyrtar i lartë komunist në zonë, tha se autoritetet ende po punojnë për të konfirmuar numrin e saktë të viktimave dhe të të mbijetuarve.
Ai citohet nga VnExpress të ketë thënë se skafi mund të jetë përmbysur për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta.
“Prioriteti kryesor është shpëtimi, nxjerrja e të gjitha viktimave në breg dhe përqendrimi i të gjitha përpjekjeve në ofrimin e kujdesit urgjent për ata që janë ende gjallë”, tha Hai.
Ambasada e Indisë në Vietnam e përshkroi incidentin si “tragjik”, duke publikuar listën e plotë të 32 shtetasve indianë që ndodheshin në bordin e varkës së përmbysur.
Ambasada gjithashtu ka hapur linja telefonike emergjente për të “ofruar informacione dhe ndihmë për familjet e prekura”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!