image Përleshje në “QTA” në Mitrovicë: Punëtori e sulmon brutalisht konsumatorin, ai i thyen xhamat e marketit

Siguri

Përleshje në “QTA” në Mitrovicë: Punëtori e sulmon brutalisht konsumatorin, ai i thyen xhamat e marketit

news image

Konfliktet në vendet e punës janë incidente goxha të shpeshta që ndodhin në biznese të ndryshme në Kosovë. Mosmarrëveshjet në vendet e punës shpesh eskalojnë edhe në kanosje e përleshje dhe për pasojë përfundojnë si raste në Polici. Kështu po dyshohet se ka ndodhur edhe dje në marketin “QTA” në Mitrovicë, raporton Gazeta Sinjali. 

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë në rast janë përfshirë një punëtor dhe një klient, të cilët janë kapur pas një zënke që dyshohet se kanë pasur mes vete.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për punëtorin e dyshuar Enver Haziri, i cili dyshohet se e ka sulmuar brualisht konsumatorin Visar Morina, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Në shenjë revolte klienti i dyshuar i ka thyer xhamat e marketit, ku për pasojë situata është tensionuar dhe është njoftuar Policia.

Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Ndaj punëtorit të dyshuar, Prokurori i Shteti ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/