Një rast i dhunës në familje është raportuar në fshatin Radevë të Graçanicës, ku një mosmarrëveshje mes babait dhe djalit ka eskaluar në përleshje fizike, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 25 qershor, rreth orës 13:00, në shtëpinë e familjes.
Burimet bëjnë të ditur se incidenti dyshohet se ka nisur pas një diskutimi lidhur me konsumimin e marihuanës nga njëri prej familjarëve.
Pas mosmarrëveshjes, njëri nga të përfshirët dyshohet se ka dalë nga shtëpia dhe ka thyer xhamin e veturës së babait të tij.
Më pas, situata ka eskaluar në kontakt fizik, ku dyshohet se janë përdorur edhe një shufër metali dhe një sëpatë.
Në rast është përfshirë edhe një i mitur, ndërsa sipas burimeve, dy familjarë dyshohet se e kanë lidhur njërin prej të përfshirëve me litar deri në ardhjen e Policisë.
Njësitet policore dhe hetuesit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Personave të përfshirë u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar lëndime të lehta trupore.
I mituri është intervistuar në prani të avokatit dhe punëtorit të Qendrës për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar për dhunë në familje, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!