image Përleshje e dhunshme në rrugët e Splitit – pesë të lënduar, në mesin e tyre edhe një polic, reagon kryeministri kroat

Futboll

Përleshje e dhunshme në rrugët e Splitit – pesë të lënduar, në mesin e tyre edhe një polic, reagon kryeministri kroat

news image

Tifozët e Dinamos dhe Hajdukut janë përfshirë në një përleshje të dhunshme në qytetin e Splitit, vetëm pak orë para derbit të shumëpritur të pasdites.

Sipas raportimeve, incidenti ka qenë i planifikuar, ndërsa autoritetet policore kanë arrestuar mbi 100 persona të përfshirë. Përleshja ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit në lagjen Pujanke të Splitit.

Pamjet që kanë qarkulluar në media konfirmojnë se gjithçka ishte e organizuar. Rreth 50 tifozë të grupit Bad Blue Boys janë përballur me një numër më të madh të tifozëve të Torcidës. Në një moment, njëri nga të ndaluarit arriti t’i ikë një oficeri policie, por pas pak kohësh u kap sërish, transmeton KosovaPress.

Nga përleshja kanë mbetur të plagosur pesë persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Edhe një polic ka pësuar lëndime gjatë ndërhyrjes për të ndalur dhunën.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe edhe në nivel shtetëror, ku kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka reaguar lidhur me incidentin.

“Mendoj se është shumë e keqe dhe nuk ka të bëjë me futbollin, Hajdukun apo Dinamon dhe është një shembull i keq për të rinjtë”, tha ai.

Ai u bëri thirrje të rinjve “të mos ndjekin atë rrugë, sepse sporti duhet të jetë gëzim dhe një mënyrë për të mësuar se si të përfitojnë më të mirën nga jeta përmes angazhimit të shëndetshëm”.

Sipas zyrtarëve mjekësorë, katër prej huliganëve të lënduar janë tifozë të të dy klubeve.

“Të katër tifozët e lënduar kanë lindur midis 1991 dhe 1998”, tha zëdhënësja e KBC Split, Kristina Bitanga.

Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se hyrjet në stadiumin Poljud janë të hapura dhe se ndeshja do të monitorohet përmes kamerave, si brenda ashtu edhe jashtë tribunave. Derbi pritet të nisë në orën 16:00.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/