image Përkeqësohet situata në Sahel pas tërheqjes së trupave amerikane

Botë

Përkeqësohet situata në Sahel pas tërheqjes së trupave amerikane

news image

Në muajin shtator, ushtria amerikane përfundoi tërheqjen e trupave të saj nga Nigeri, ku kishte dy baza që ndihmuan vendet partnere në luftën kundër terrorizmit në Sahel. Në vitin 2023 pjesëtarët e ushtrisë së Nigerit organizuan një grusht shteti.

Duke cituar ushtrinë amerikane, korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, njofton se tërheqja e trupave ka patur ndikim të madh në përpjekjet kundër terrorizmit në rajon.

Pas largimit të ushtrisë amerikane nga Nigeri, zyrtarët e mbrojtjes thonë se prania e tyre në Afrikën Perëndimore ka rënë në më pak se 300 trupa nga rreth 1000 që kishte më parë.

Gjenerali amerikan, Kenneth Ekman, udhëhoqi tërheqjen e trupave, misioni i të cilave ishte ndihma kundër “organizatave ekstremiste të dhunshme” në Sahel.

“Nëse do të kishte një vend që është më i rëndësishmi për aftësitë tona për të trajtuar problemet e ekstremizmit të dhunshëm në Sahel ose sfidën Saheliane, ai vend është Nigeri. Është një hap strategjik prapa në lidhje me mënyrën sesi i ndjekim objektivat tona të sigurisë në rajon”.

Analisti ushtarak, Bill Roggio, thotë se terrorizmi në Afrikën Perëndimore po përkeqësohet.

“Xhihadistët kanë shënuan përparime në disa vende. Në Burkina Faso thuhet se rreth 40% e vendit është nën kontrollin e degës së al-Kaidës atje”.

Ai thotë se pa një bazë të fuqishme për të strehuar trupat dhe dronët e vëzhgimit, misionet amerikane dhe franceze kundër terrorizmit në Afrikën Perëndimore janë në një situatë të papërshtatshme.

“Rajoni është bërë më i padepërtueshëm”, thotë Gjenerali Ekman.

Pa mbështetjen perëndimore, që ekzistonte përpara se junta ushtarake të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në rrugë demokratike, Nigeri nuk ka arritur ta frenojë valën e terrorizmit në rritje.

Ushtria nigere thotë se sulmet terroriste në fillim të dhjetorit vranë të paktën 39 njerëz, përfshirë fëmijë, pranë kufirit me Burkina Fason.

“Në Niger, sulmet e dhunshme ekstremiste janë bërë më vdekjeprurëse. Ky është një fakt që nga grushti i shtetit të 26 korrikut 2023. Ata kanë më pak burime dhe më pak partnerë”, thotë Gjenerali Kenneth Ekman.

Zyrtarët thonë se tërheqja nuk nënkupton se ushtria amerikane po heq dorë nga Afrika Perëndimore, por po ndryshon taktikën.

“Kjo është faza fillestare e rivendosjes tonë”.

Gjenerali Michael Langley, kreu i Komandës amerikane për Afrikën, i tha Zërit të Amerikës në tetor se ai synon të ndërtojë një strategji të re për të ndihmuar në luftën kundër shtimit të kërcënimit terrorist në rritje.

“Ne u tërhoqëm nga Nigeri, por po angazhohemi me vendet bregdetare të Afrikës Perëndimore, sepse terrorizmi po përhapet në rajonet veriore të Bregut të Fildishtë, të Ganës, Togos dhe Beninit.”

Gjenerali Ekman thotë se kjo kërkon një qasje ndryshe.

“Kemi ndryshuar taktikën krahasuar me kohën kur kishim trupa në Niger. Qasja jonë në vende si Bregu i Fildishtë, Gana, Benini, Çadi dhe shkalla me të cilën duan të bashkëpunojnë me ne do të varen nga strategjia e re”.

Gjenerali Langley thotë se negociatat për të punuar me këto qeveri do të kërkojnë kohë.

“Jemi ende në fazat e përcaktimit të asaj që kërkohet nga ne nga vendet pritëse në mënyrë që të llogarisim në mënyrë efikase përpjekjet kundër terrorizmit”.

Ndërsa vazhdojnë diskutimet, analistët thonë se terrorizmi po kërcënon gjithnjë e më shumë ato qeveri të cilat i kanë shtyrë tutje vendet që mund të jenë në gjendje t’i ndihmojnë ato.

/GazetaSinjali/