image Përhapet virusi në Argjentinë, katër të vdekur nga “sëmundja e legjionarëve”

Botë

Përhapet virusi në Argjentinë, katër të vdekur nga “sëmundja e legjionarëve”

news image

Katër persona në një klinikë në provincën veriperëndimore Tucuman në Argjentinë kanë humbur jetën nga sëmundja e Legjionarëve, një infeksion bakterial relativisht i rrallë i mushkërive.

Ministrja e Shëndetësisë Carla Vizzotti u tha gazetarëve se viktimat kishin pasur ethe, dhimbje trupi dhe probleme me frymëmarrjen.

“Kjo sëmundje shkaktohet nga një bakter, i cili transmetohet në rrugët e frymëmarrjes përmes ujit i cili me shumë mundësi ka qenë i ndotur. Bakteri që shkakton shpërthimin quhet legionella dhe nuk është ndonjë virus i panjohur në mjekësi“, tha Carla.

Vdekjet, të regjistruara që nga e hëna, ndodhën në një klinikë të vetme në qytetin e San Miguel de Tucuman. Më e fundit, u shënua mëngjesin e së shtunës, dhe ishte ajo e një 48-vjeçari.

Sëmundja, e cila u shfaq për herë të parë në një takim të vitit 1976 të grupit të veteranëve të Legjionit Amerikan në qytetin amerikan të Filadelfias, është e lidhur kryesisht me ujin e ndotur ose sisteme të papastra të ajrit të kondicionuar.

Kur u zbulua për herë të parë shpërthimi në Tucuman, mjekët testuan të prekurit për COVID-19, grip dhe viruse të tjera, por i përjashtuan të gjitha.

Mostrat u dërguan më pas në Institutin prestigjioz Malbran në Buenos Aires.

Testet atje treguan se bëhej fjalë për sëmundjen e Legjionarëve.

Mjekët thonë se normalisht sëmundja nuk transmetohet nga personi në person dhe se asnjë kontakt i ngushtë i asnjë prej 11 personave të infektuar deri më tani nuk ka shfaqur simptoma.

/GazetaSinjali/