Dëshmitari në procesin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafës, ka vazhduar edhe sot deklaratat për ditën e pestë me radhë.
Në këtë seancë, dëshmitari u pyet se kush ishte personi që sipas tij pretendon që u rrah, duke iu referuar një personi me kapelë të kuqe.
Dëshmitari në fjalën e tij thotë se nuk e di se kush ka qenë, por që e di se ka qenë personi i akuzuar, pra, Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”.
“Qitash po ma përzini që s’po muj me ju kuptu as juve. Unë kam thanë se kam njoftë kush u kanë komandant. M’kanë marrë m’kanë çu në kerr edhe ai person muna me thanë që e ka pas kapelën e kuqe e ma ka shti thesin n’gojë. Nuk e kam ditë se kush është komandant aty, s’e kam njoftë e s’e kam ditë”, është shprehur dëshmitari në dëshminë e tij para trupit gjykues.
Tutje, trupi gjykues thotë se pyetja është se në këtë rast, ai nuk i referohet si komandant “Cali”.
Ndërsa, dëshmitari thotë se e kanë rrahur dy herë, por që nuk e njeh se kush.
“A beson që nuk e njoh. E kam pa por nuk e di se qysh e kam pa. Unë nuk e di se kush u kanë po e di që qatëherë n’atë vend u kanë qiky i akuzumi”, ka thënë ai.
Më tej, dëshmitari i parë në çështjen e Salih Mustafës është pyetur edhe rreth lëndimeve që ai i ka deklaruar më herët, ku gjykatësi tha se këto pyetje po ia bën atij për faktin se nuk ka para vetës asnjë dokument që lidhet me lëndimet e pretenduara.
Njëri nga gjykatësit e Gjykatës Speciale, i ka thënë dëshmitarit se në deklarimet e mëhershme të tij është shprehur se ai është rrahur dy herë nga i njëjti person, teksa e pyet se a ia njeh zërin atij personi.
Dëshmitari thotë se zërin nuk ia ka studiuar, por që dy herë ka pasur punë me një person me kapelë të kuqe.
“Tybe, nuk jam ardhë me i studiu zanat, por po t’kallxoj qe kam pas dy herë punë me atë personin me kapelë të kuqe, edhe herën e parë edhe të dytë, zanin tybe nuk ja kom ngu. S’e di”, ka thënë dëshmitari gjatë dëshmisë së tij.
Dëshmitari u pyet përsëri rreth një deklarate të tij, duke thënë se në ditën kur janë liruar në Zllash ishin 17 persona dhe kjo ishte hera e parë që ata ju thirrën në emër, ai u pyet se a e njihte ndonjërin nga emrat e atyre që u thirrën.
Dëshmitari në këtë çështje u përgjigj me ironi duke thënë se s’kishte punë tjetër vetëm të dëgjonte emrat e huaj.
“Po se tjetër punë s’kam pas unë veç me ngu emrat e huaj cka po folin. Unë kam dalë jashtë vec kur mu ka thirrë emri edhe kurgjo tjetër”, ka thënë ai.
Dëshmitari u pyet edhe në lidhje më atë se a ishte në dijeni familja e tij se ai ishte në burg, por që u përgjigj duke thënë se s’e kanë ditë familja e tij se ku ishte dhe as ku e kanë çuar.
“Ata nuk e kanë ditë që ka burg se nuk kanë mendu që është kohë e burgut por kanë mendu që më kanë marrë me më pytë dicka. As unë nuk kam besu që do të ketë asi trajtimi në Zllash. S’kam besu”.
Ditën kur erdhën të të çojnë në Zllash, ti se dije se ku po të çojnë?
“Nuk e kam ditë se kanë ardhë dy ushtarë, më janë prezantuar thanë ‘na jemi si policë ushtarak e me ardhë me neve deri në Zllash e kemi me të pytë dicka’. Unë skam dashtë me kundërshtu dhe kam shku tu mendu se do bëjnë bisedë me mu e s’kam besu se do të më bëjnë llom. S’i kam pas borxh kërkujt, nuk e di”, është shprehur dëshmitari i parë.
Kujtojmë se sot ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit të parë në rastin kundër komandant “Calit”.