image Përfundon takimi i dy ministrave me kryetarët e komunave, vendosën që masat e reja të merren në bashkëpunim

Shëndetësi

Përfundon takimi i dy ministrave me kryetarët e komunave, vendosën që masat e reja të merren në bashkëpunim

news image

Sot, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë zhvilluar një takim virtual me kryetarët e komunave të Kosovës, gjatë të cilit janë diskutuar masat e reja antiCOVID, raporton Gazeta Sinjali.

Në një njoftim të MAPL-së, Vitia citohet të ketë shtruar nevojën e masave të reja antiCOVID, të cilat ka thënë se do të merren në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante.

“Ai theksoi se duhet mobilizim, koordinim dhe qasje më proaktive në raport me pandeminë për shkak të situatës së krijuar. Ai gjithashtu diskutoi së bashku me kryetarët e komunave nevojën e disa masave të reja të cilat në bashkëpunim me të gjitha institucionet relevante duhet të ndërmerren për të ruajtur shëndetin publik”, citohet të ketë thënë ai.

Në këtë takim, kryetarët e komunave kanë diskutuar për sfidat e ndryshme me të cilat janë duke u përballur dhe kanë shprehur qëndrimet dhe sugjerimet e tyre për vendimet që duhet të ndërmerren për këto masa.

“Si përfundim të pranishmit u pajtuan qe bashkërisht duke i koordinuar të gjitha veprimet rreth masave të reja, mund t’ia dalin për të minimizuar dhe tejkaluar sfidat me të cilat janë duke u përballur me pandeminë COVID-19”, përfundon njoftimi.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahim, në një prononcim për Gazetën Sinjali, tha sot se Vitia ka ftuar në takim kryetarët e komunave pas reagimit që ky asociacion bëri dje lidhur me mbylljen totale prej 12 ditësh.

Gazeta Sinjali raportoi dje se në mbledhjen që i pari i Shëndetësisë pati me gastronomët, është diskutuar që të mbyllen lokalet e gastronomisë, qendrat tregtare, palestrat dhe shkollat, nga data 6 deri më 18 prill.

Kundër masave të propozuara dje kanë dalë gastronomët, të cilët thanë se Vitia ka marrë vendim pa i konsultuar./Gazeta Sinjali/