Në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i nëntë me radhë, eksperti mjeko-ligjor Marek Gasior.
Dëshmitari, fillimisht i është përgjigjur kundra-pyetjeve të ekipit mbrojtës, rimarrjes në pyetje nga ana e Prokurorisë dhe pyetjeve të trupit gjykues.
Duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës, Mohamed Hedi Aouini, dëshmitari lidhur me “personin C” tha se informacioni i përfshirë në raport është informacion i marrë nga pacienti përpara se të bëhet këqyrja fizike.
Kur iu kërkua të konfirmonte që nuk kanë gjetur gjurmë thyerje të shputës së këmbës së djathtë, eksperti tha se “në fotografitë 21 dhe 22, është ky shënim se nuk ka dëshmi të lëndimeve të mëparshme në shputën e këmbës së djathtë, kjo domethënë se nuk janë të dukshme nga jashtë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gasior tha tutje se pacienti është këshilluar për të bërë radiografi, por nuk ka informacion nëse i njëjti i ka kryer ato apo jo.
Ndërkaq, lidhur me shenjat e “personit C” për të cilat eksperti javën e kaluar kishte thënë se janë shkaktuar nga një send me temperaturë të lartë, i pyetur nëse këto shenja mund të jenë shkaktuar nga elektroshoku, eksperti mjeko-ligjor tha se “nuk ju përgjigjem dot, nuk jam në gjendje”.